Roger Scruton, filozofi i mirënjohur konservator, ka vdekur në moshën 75 vjeçare.

Britaniku ishte autor i më shumë se 50 librave mbi estetikën, moralitetin dhe politikën, njofton Klan Kosova.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e konsideroi “mendimtarin më madh modern konservator”, përderisa Ministri i Financave Sajid Javid tha se “ka dhënë kontribut unik në jetën publike”.

Deputeti konservator Daniel Hannan theksoi se Sër Roger Scruton ishte “konservatori më i madh i epokës sonë”:

“Vendi ynë e ka humbur një intelekt vigan. Unë e kam humbur një mik të mrekullueshëm”.

Historiani Timothy Garton Ash u shpreh: “Scruton ishte njeri me intelekt, dije dhe humor të jashtëzakonshëm. Përkrahës i madh i disidentëve të Europës Qendrore, i llojit të mendimtarit provokues – ndonjëherë shokues – të cilin një shoqëri vërtet liberale do të duhet të ishte e lumtur ta kishte për ta sfiduar”.

I lindur në shkurt të vitit 1944, Sër Roger studioi në Cambridge.

Rrëfente se vendimin për t’u bërë konservator e kishte marrë kur e kishte vizituar Parisin, gjatë protestave studentore të vitit 1968, kur i kishte takuar “turmat e çakorduara të huliganëve të vetëkënaqur të klasës së mesme” që flisnin “budallallëqe marksiste”.

“Atëherë e kuptova se më shumë doja t’i ruaja gjërat, sesa t’i shembja”.

Në vitin 1971 filloi të ligjëronte në kolegjin Birkbeck në Londër, mirëpo mendonte se karriera e tij po stagnonte për shkak të “establishmentit të majtë”.

Tre vjet më vonë u bë njëri ndër themeluesit e Grupit të Filozofisë Konservatore, i cili synonte ta ofronte bazën intelektuale për rikthimin në pushtet të Partisë Konservatore. Anëtare e grupit ishte edhe liderja e sapozgjedhur e partisë, Margaret Thatcher.

Në vitin 1982, Sër Roger e themeloi revistën konservatore Salisbury Review.

Në këtë periudhë filloi t’i vizitonte disidentët në Çekosllovakinë komuniste, duke kontrabanduar libra, duke mbajtur ligjërata për temat e ndaluara dhe duke i përkrahur artistët e ndaluar. Në vitin 1985 u arrestua në Brno, pastaj u dëbua nga shteti.

Pas rënies së komunizmit, Vaclav Havel, ish disidenti që u bë president, ia ndau Medaljen për Merita.

Gjatë viteve të 1990-ta bleu një fermë në Wiltshire – të cilën e quajti Scrutopia – ku e ushtronte hobin e tij, gjahun e dhelprave, për ç’gjë e shkroi edhe një libër (“On Hunting” – “Mbi gjuetinë”).

Në vitin 2009 e realizoi një dokumentar të jashtëzakonshëm për BBC-në, “Why Beauty Matters” (“Pse ka rëndësi e bukura”), në të cilin argumentonte se shoqëritë moderne janë duke e rrezikuar veten për shkak të mosvlerësimit të së bukurës.

Kryeministri djathtist hungarez, Victor Orban, në dhjetorin e kaluar e dekoroi me Urdhrin e Meritave, duke e konsideruar si “aleat të flaktë të antikomunizmit në Europën Qendrore dhe Europën Lindore”.

Disa vepra të tij janë botuar edhe në shqip.

 

 

 

Dokumentari i plotë “Why Beauty Matters”.